Skënder Hita me dorë të hekurt. Pezullon nga detyra policët që tërhoqën zvarrë babain në sy të fëmijëve

Tre efektivë të Komisariatit të Policisë Kuçovë janë pezulluar nga detyra pas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqet shoqërimi me forcë i Dashnor Toskës në fshatin Krekëz.
Në video, Toska shihet teksa tërhiqet nga efektivët në prani të familjarëve, përfshirë edhe fëmijë të mitur. Pamjet shkaktuan reagime të shumta, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, urdhëroi pezullimin e tre punonjësve të përfshirë.
Ka nisur edhe hetim disiplinor për dyshime mbi përdorimin e paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës, si dhe për veprime që cenojnë figurën dhe besueshmërinë e Policisë.
Shoqërimi i Toskës nuk lidhej me punime ndërtimore pa leje. Sipas versionit zyrtar, më 20 korrik kunata e tij kishte bërë kallëzim ndaj tij për kanosje, ndërsa mes palëve ekziston edhe një konflikt pronësie.Më 3 gusht, efektivët shkuan në banesën e Toskës për ta shoqëruar në Komisariat, pasi ai nuk ishte paraqitur vullnetarisht pas njoftimit të Policisë.Materialet për rastin janë referuar në Prokurorinë e Beratit për veprën penale të “Kanosjes”, ndërsa paralelisht do të hetohet edhe mënyra se si vepruan efektivët gjatë shoqërimit.




