South Albania Media Hub nis në Fier, gazetarët diskutojnë forcimin e medias lokale

Një takim me gazetarët e Fierit është zhvilluar në kuadër të projektit “Forcimi i gazetarisë lokale dhe kapaciteteve të medias në Shqipërinë e Jugut”, organizuar nga Qendra “Epoka e Re”, me në krye Nevila Jahaj, në partneritet me Qendrën FOL.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe gazetarja e njohur Anila Hoxha, së bashku me gazetarë dhe përfaqësues të mediave lokale.
Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat me të cilat përballen gazetarët në punën e përditshme, si dhe nevoja për të forcuar gazetarinë lokale dhe për të rritur kapacitetet profesionale të mediave.
Projekti South Albania Media Hub (SAMH), me qendër në Fier, synon të ofrojë trajnime praktike, mentorim editorial dhe akses në pajisje për prodhim multimedial. Nisma do të mbështesë gazetarët dhe mediat lokale në qarqet Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Berat.
Projekti mundësohet nga Programi SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, dhe zbatohet nga GIZ dhe DW Akademie.




