Sterjo mori kallashin dhe ndoqi Zukon e shokët e tij për t’i vrarë, ekzekutimi i 20-vjeçarit mund të ishte kthyer në një tragjedi me tre viktima

Vrasja e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë mund të kishte marrë përmasa edhe më të rënda. Në momentin e ngjarjes, autori i dyshuar Kristjan Sterjo nuk ka ndjekur vetëm viktimën, por edhe dy shokë të tjerë që ndodheshin me Zukon.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, Sterjo ka vënë në ndjekje Johan Zukon dhe dy shokët e tij. Dy të rinjtë kanë mundur të shmangen duke u larguar dhe u fshehur në një drejtim tjetër, ndërsa 20-vjeçari është futur në një pallat.
Ndjekja ka përfunduar me tragjedi, pasi Johan Zuko është qëlluar me kallashnikov dhe ka humbur jetën. Ndërkohë, në kuadër të hetimeve, rreth 10 persona janë shoqëruar mbrëmjen e kaluar në polici. Pjesa më e madhe e tyre mësohet se janë persona të njohur të viktimës.
Ata po merren në pyetje nga grupi hetimor, ndërsa dëshmitë e tyre pritet të ndihmojnë në zbardhjen e dinamikës së plotë të ngjarjes.
U zbardh edhe dëshma e autorit të dyshuar përpara grupit hetimor. Ai tha se përplasja me 20-vjeçarin lidhej me disa episode të mëparshme mes tyre. Një prej shkaqeve që dyshohet se ndikoi në përshkallëzimin e konfliktit ka qenë pretendimi i Sterjos se viktima kishte ngacmuar të dashurën e tij.




