Takim në Bashkinë Fier për zhvillimin e turizmit, Subashi pret përfaqësuesit europianë

Në ambientet e Bashkisë Fier është zhvilluar një takim i rëndësishëm për të ardhmen e turizmit në qytet, ku kryetari i bashkisë, Armando Subashi, priti përfaqësues të Komisionit Europian, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si edhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Në qendër të diskutimeve ishin investimet e realizuara deri tani dhe projektet e reja që pritet të zbatohen në sektorin e turizmit, me synimin për ta kthyer Fierin në një destinacion të rëndësishëm ekonomik dhe turistik.

Gjatë takimit, Subashi theksoi se turizmi duhet të marrë një rol po aq të rëndësishëm sa industria dhe bujqësia në zhvillimin ekonomik të bashkisë, duke vlerësuar potencialet natyrore, historike dhe kulturore që ofron zona.
Diskutimet u zhvilluan në kuadër të projektit “Tourism for Albania”, të mbështetur edhe nga qeveria shqiptare, ku u ndanë ide dhe vizione për përmirësimin e infrastrukturës, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe vlerësimin e pikave arkeologjike si baza të një turizmi të qëndrueshëm në Fier.





