“The Odyssey” pushton kinematë, filmi i Christopher Nolan arkëton 264 milionë dollarë në fundjavën e parë

Filmi i ri i Christopher Nolan, “The Odyssey”, ka nisur me një sukses të madh në kinematë botërore, duke arkëtuar 264 milionë dollarë në fundjavën e debutimit, sipas të dhënave të publikuara nga studioja Universal Pictures.
Produksioni me një kast të madh aktorësh, ku përfshihen Matt Damon, Tom Holland, Anne Hathaway dhe Zendaya, është një përshtatje e poemës epike të Homerit dhe rrëfen udhëtimin e vështirë 10-vjeçar të Odiseut, mbretit të Itakës, për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës.
Filmi, i publikuar të premten, ka regjistruar një debutim më të fuqishëm se filmi i mëparshëm i Nolan, “Oppenheimer”, i cili në vitin 2023 përfundoi me rreth 975 milionë dollarë të ardhura globale.
“The Odyssey”, i realizuar me një buxhet të raportuar prej rreth 250 milionë dollarësh, shënon debutimin më të madh të Nolan jashtë serisë së filmave “Batman”. Rekordin e mëparshëm e mbante “The Dark Knight Rises”, i cili në vitin 2012 nisi me 249 milionë dollarë globalisht.
Vetëm në Amerikën e Veriut, filmi arkëtoi 124.5 milionë dollarë, duke u renditur si debutimi i tretë më i madh i vitit, pas “Toy Story 5” dhe “The Super Mario Galaxy Movie”. Rezultati konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm pasi filmi ka klasifikimin R, që kufizon një pjesë të audiencës.
Fillimisht, Universal Pictures kishte parashikuar një debutim prej rreth 100 milionë dollarësh në tregun amerikan. Sipas të dhënave të para, 56% e audiencës në Amerikën e Veriut ishin burra, ndërsa më shumë se tre të katërtat e blerësve të biletave ishin mbi 25 vjeç.
Në tregjet ndërkombëtare, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda kryesuan me 17.4 milionë dollarë të ardhura gjatë tre ditëve të para.
“The Odyssey” shënon gjithashtu një arritje teknike, pasi është filmi i parë artistik i xhiruar tërësisht me kamera IMAX, një teknologji që ofron imazh me rezolucion, ndriçim dhe cilësi më të lartë.
Shfaqjet në kinemanë BFI IMAX në Londër u shitën të gjitha gjatë fundjavës së parë, me fansa që mbërritën që në mesnatë dhe në orët e para të mëngjesit për të parë filmin.
Filmi u shpërnda këtë fundjavë në 73 tregje ndërkombëtare, në më shumë se 12,800 ambiente kinematografike dhe rreth 26 mijë ekrane në mbarë botën, përfshirë 440 ekrane IMAX. Në Amerikën e Veriut, formatet premium të shfaqjes, ku përfshihet IMAX, përbënë 53% të të ardhurave nga biletat.
Christopher Nolan ka deklaruar se pas këtij projekti mund të kalojnë të paktën tre vite para se të realizojë një film të ri, për shkak të vështirësive dhe përmasave të xhirimeve të “The Odyssey”.
Filmi ka marrë vlerësime shumë pozitive nga kritika, me disa recensues që e kanë cilësuar si një nga veprat më të mira të regjisorit. Në kast përfshihen gjithashtu Robert Pattinson, Lupita Nyong’o, Samantha Morton dhe Charlize Theron.




