Thirrje për qytetarët e Fierit: Ndalohet djegia e mbetjeve bimore, apel për kujdes maksimal ndaj rrezikut të zjarreve

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të Fierit dhe veçanërisht fermerëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë kësaj periudhe, duke shmangur djegien e mbetjeve bimore, një nga shkaqet kryesore të zjarreve që rrezikojnë jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Sipas njoftimit, temperaturat e larta të sezonit veror rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së flakëve, ndërsa edhe një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në tokat bujqësore, pyje dhe zona të banuara.
Qytetarët dhe fermerët ftohen të përdorin metoda alternative për menaxhimin e mbetjeve bimore dhe të shmangin çdo veprim që mund të favorizojë përhapjen e zjarreve.
Autoritetet rikujtojnë se, në zbatim të legjislacionit në fuqi, ndalohet djegia e masës bimore, pjesëve të saj dhe mbetjeve bimore në periudhën nga 1 Prilli deri më 30 Nëntor. Çdo shkelje e këtij ndalimi do të ndëshkohet sipas ligjit.
Institucionet apelojnë për bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe parandalimi i zjarreve është një përgjegjësi e përbashkët.




