Tiranë/ Bomba molotov gjatë protestës, arrestohen 6 persona, 3 procedohen penalisht dhe 2 shpallen në kërkim
Gjashtë persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pas akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytet.
Sipas Policisë, protestuesit kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike. Gjithashtu, kanë bllokuar qarkullimin dhe kanë djegur kazanë mbeturinash.
Në pranga kanë rënë 4 shtetas të rritur, mes tyre edhe një shtetas i huaj, si dhe 2 të mitur. Ndërkohë, 3 persona të tjerë janë proceduar penalisht dhe 2 janë shpallur në kërkim.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar bomba molotov që iu gjetën dy prej të arrestuarve.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për disa vepra penale, mes tyre edhe “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, kundërshtimi i punonjësve të Policisë, shkatërrimi i pronës me zjarr dhe mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.




