Tiranë – Plagosi kunatin me armë zjarri, kapet autori, shpallet në kërkim një tjetër i implikuar

Një konflikt për motive të dobëta mes dy të afërmve ka përfunduar me armë zjarri këtë të shtunë pasdite në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40, në banesën e të dëmtuarit në rrugën “Llambi Bonata”, ku shtetasi M. T., 41 vjeç, ka plagosur me armë zjarri kunatin e tij, shtetasin G. M., 56 vjeç. Ky i fundit u dërgua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Falë reagimit të menjëhershëm dhe ndërhyrjes profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, autori i dyshuar u neutralizua dhe u shoqërua në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme hetimore. Po ashtu, u sekuestrua arma e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer plagosja.
Në kuadër të hetimeve, është shpallur në kërkim edhe shtetasi N. S., 29 vjeç, i cili dyshohet se ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes dhe më pas është larguar.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.




