Tragjedia në Shëngjin/ Identifikohen dy të rinjtë nga Kosova që humbën jetën në det, u morën nga dallgët e forta

Dy të rinj nga Kosova humbën jetën tragjikisht në bregdetin e Shëngjinit, pasi u morën nga dallgët e forta në zonën e njohur si “Rana e Hedhun”.
Viktimat janë identifikuar si Leonit Aliu, rreth 22 vjeç, nga Fushë-Kosova dhe Jetmir Binaku, 23 vjeç, nga Prishtina. Leonit Aliu njihej edhe në botën e futbollit kosovar, pasi kishte qenë pjesë e ekipit KF Fushë Kosova.
Të rinjtë ndodheshin në Shqipëri në kuadër të një udhëtimi turistik së bashku me një grup bashkëmoshatarësh nga Kosova. Sipas informacioneve paraprake, ata hynë në det bashkë me tre shokët e tyre, Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi, por u përballën me dallgë dhe rryma të forta detare.
Falë ndërhyrjes së qytetarëve që ndodheshin në zonë me Jet Ski, në bashkëpunim me Policinë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e pesë të rinjve. Megjithatë, Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku u gjetën pa shenja jete, ndërsa tre shokët e tyre arritën të shpëtohen.
Ngjarja e rëndë ka tronditur familjarët dhe opinionin publik në Kosovë dhe Shqipëri.




