Vrasja e efektivit në Maliq/ Ish-ushtaraku në kërkim hapi zjarr ndaj policisë, humb jetën një efektiv dhe plagoset një tjetër

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e Lozhanit, në Bashkinë Maliq, ku gjatë një operacioni policor mbeti i vrarë një efektiv i Policisë së Shtetit dhe u plagos një tjetër.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar është 44-vjeçari Violand Braçellari, ish-ushtarak dhe person i shpallur në kërkim prej vitesh. Ai rezultonte i dënuar edhe për çështje që lidhen me lëndët narkotike.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur një grup efektivësh të Policisë së Korçës kanë ndërmarrë një operacion për lokalizimin dhe arrestimin e tij në zonën malore të Podenës. Gjatë ndërhyrjes, Braçellari dyshohet se ka pikasur lëvizjet e forcave të policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre.
Si pasojë e të shtënave, një efektiv humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa punonjësi i policisë Edison Adri mbeti i plagosur dhe është transportuar me helikopter drejt Tiranës për trajtim mjekësor.
Burime paraprake bëjnë me dije se i dyshuari jetonte prej vitesh i izoluar në pyjet e Podenës, ku kishte ngritur një stan dhe mbante disa qen. Ai konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe me njohuri të avancuara në përdorimin e armëve të zjarrit, për shkak të së kaluarës së tij si ushtarak.
Pas shkëmbimit të zjarrit, autori i dyshuar raportohet se është neutralizuar i plagosur. Ndërkohë, zona vijon të jetë e rrethuar nga forca të shumta policore, ndërsa grupet hetimore po punojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe rrethanat e operacionit.
Autoritetet pritet të dalin me një komunikatë zyrtare për identitetin e efektivit që humbi jetën dhe detaje të tjera mbi këtë ngjarje të rëndë.




