U ARRATIS GJATË FUNERALIT TË VËLLAIT, ARRESTOHET PAS 7 MUAJSH 47-VJEÇARI SHQIPTAR NË AUSTRALI

Një 47-vjeçar shqiptar, Orijol Rukaj, i cili u arratis nga burgu gjatë funeralit të të vëllait në Melburn të Australisë, është arrestuar pas gati shtatë muajsh në arrati.
Ngjarja ndodhi më 25 prill, kur Rukaj, i cili mbahej në paraburgim në burgun Marngoneet, pranë Geelong-ut, u shoqërua nga autoritetet në varrezat Keilor për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të vëllait të tij.
Edhe pse ishte i prangosur dhe po ndihmonte në mbajtjen e arkivolit, 47-vjeçari arriti t’u largohej efektivëve të sigurisë gjatë ceremonisë, ku merrnin pjesë rreth 300 persona.
Pas afro shtatë muajsh kërkimesh, ai u arrestua të premten në Queensland.
Autoritetet australiane bëjnë me dije se Rukaj do të merret në pyetje në ditët në vijim, ndërsa pritet të nisë procedura për ekstradimin e tij drejt shtetit Victoria, ku ishte duke vuajtur masën e paraburgimit.




