Ulet Vjosa, rriten prurjet në Seman – situata nën monitorim në qarkun Fier

Reshjet e shiut me intensitet të ulët gjatë natës nuk kanë sjellë problematika të reja në qarkun Fier. Sipas informacionit zyrtar të orës 08:00 të datës 10 janar 2026, situata paraqitet e qëndrueshme, por mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.
Prurjet në lumin Vjosë janë në tendencë rënieje dhe po vijon tërheqja e ujërave nga tokat bujqësore të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit. Ndërkohë, në lumin Seman vërehet rritje e prurjeve, me dalje të ujit nga shtrati në disa segmente, por brenda argjinaturave mbrojtëse. Rritje prurjesh raportohet edhe në lumin Shkumbin.
Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje. Hidrovoret janë në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.
Në fshatin Ferras, pas tërheqjes së ujërave, strukturat e Bashkisë Fier vijojnë punën në terren për normalizimin e plotë të situatës. Autoritetet bëjnë me dije se lumi Seman po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, edhe për shkak të rritjes së shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës.
Situata mbetet nën vëzhgim dhe autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të informohen vetëm nga burime zyrtare.




