Veliaj kërkon të marrë pjesë në Asamblenë e PS-së më 14 nëntor ose me videokonferencë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kërkon të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor.
Përmes një shkrese zyrtare të dërguar sot nga paraburgimi në Fier, Veliaj i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, dhe prokurorit të çështjes në SPAK, duke kërkuar t’i garantohet pjesëmarrja fizike në këtë mbledhje ose, në pamundësi, përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me videokonferencë.
Në kërkesën e tij, Veliaj argumenton se masa e sigurisë “arrest në burg” nuk e privon automatikisht nga ushtrimi i të drejtave politike dhe statutore që gëzon si anëtar i Asamblesë Kombëtare, anëtar i Kryesisë së PS-së dhe drejtues i strukturave socialiste në Tiranë.
Ai kërkon të ketë mundësi të ndjekë diskutimet, të marrë fjalën, të paraqesë propozime dhe të marrë pjesë në vendimmarrjen e partisë.
Veliaj i kërkon gjithashtu Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së të marrë masat organizative dhe teknike për pjesëmarrjen e tij, ndërsa SPAK-ut i kërkon të shqyrtojë mundësinë ligjore për pjesëmarrje fizike ose përmes videokonferencës nga ambientet e IEVP Fier.
Në shkresë, kryebashkiaku thekson se kërkesa nuk synon ndryshimin apo shmangien e masës së sigurisë, por gjetjen e një mënyre që t’i mundësojë ushtrimin e të drejtave politike dhe statutore pa cenuar kushtet e paraburgimit.
Ai kërkon që përgjigjja të jepet përpara datës 14 nëntor, pasi në të kundërt do të bëhej praktikisht e pamundur pjesëmarrja në mbledhjen e Asamblesë.




