VELIAJ REFUZON OPERACIONIN NË SPITALIN “MEMORIAL” NË FIER, KËRKON TË TRAJTOHET NË SPITAL PRIVAT

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka refuzuar të paraqitet në spitalin “Memorial” të Fierit për të kryer operacionin në këmbë, i planifikuar për ditën e hënë.
Burime bëjnë me dije se Veliaj është njoftuar zyrtarisht nga administrata e IEVP Fier për ndërhyrjen kirurgjikale, e cila ishte planifikuar të kryhej nga stafi mjekësor i spitalit “Memorial”. Sipas procedurës, ai duhej të paraqitej në ambientet e spitalit një ditë përpara operacionit.
Të dielën në mëngjes, nëpërmjet personelit të IEVP Fier, Veliaj është pyetur se kur do të ishte gati për t’u transferuar në spital. Por, sipas burimeve, përgjigjja e tij ka qenë se nuk do të shkonte në “Memorial” dhe se nuk do ta kryente aty ndërhyrjen kirurgjikale.
Më herët, nëpërmjet avokatit të tij, Veliaj kishte bërë të ditur se dëshironte ta kryente operacionin në këmbë në një spital privat dhe jo në spitalin publik të Fierit.
Megjithatë, procedurat që ndiqen për trajtimin mjekësor të personave të dënuar ose të paraburgosur parashikojnë trajtimin në një spital privat vetëm në rastet kur spitali shtetëror nuk mund ta ofrojë shërbimin e nevojshëm.
Ndërkohë, mjekët shqiptarë dhe turq të spitalit “Memorial” i kanë komunikuar Veliajt se ndërhyrja për tendinën e dëmtuar të këmbës është një procedurë e zakonshme, për të cilën institucioni disponon si personelin e specializuar, ashtu edhe pajisjet e nevojshme.
Refuzimi i transferimit në spitalin “Memorial” pritet të sjellë zhvillime të mëtejshme lidhur me trajtimin mjekësor të kryebashkiakut të Tiranës.




