Vetëprodhuesit do të mund të shesin energjinë e tepërt, ndryshon edhe kompensimi për pensionistët

Komisioni i Ekonomisë i dha dritën jeshile projektligjit me 136 nene “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili synon shfrytëzimin e çdo burimi të mundshëm të prodhimit të energjisë.
Për herë të parë, në këtë projektligj përfshihet koncepti i “klientit aktiv”. Bëhet fjalë për vetëprodhuesit e energjisë, të cilët deri më tani tepricën e energjisë së prodhuar e hidhnin në rrjet, ndërsa tashmë do të kenë mundësinë ta shesin atë edhe tek klientë të tjerë, sipas rregullave të përcaktuara në ligj.
“Kemi futur konceptin e ‘klientit aktiv’, por tashmë ai është prodhues, vetëprodhues për konsumin e vet, por edhe shet tepricën e tij, sipas rregullave të caktuara në ligj”, u shpreh Muçaj.
Ndërkohë, qeveria po përgatitet të rishikojë mënyrën e kompensimit të çmimit të energjisë elektrike për pensionistët. Detajet nuk u bënë publike në Komision, pasi skema e re do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
“Nëpërmjet këtij ligji synohet të reformohet edhe mbështetja e klientëve në nevojë, e cila tashmë është e përcaktuar tek pensioni. Do të rishikohet dhe është një dokument i ri që po hartohet nga ministria, dhe do të ketë një mënyrë të re për kompensim”, deklaroi Gledis Kalemi, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Projektligji parashikon gjithashtu më shumë vëmendje ndaj instalimit të matësve inteligjentë, me qëllim rritjen e transparencës në faturim. Përpara zbatimit të tyre do të kryhet një analizë kosto-përfitim.
“Në rastin e një analize kosto-përfitim për OSSH, matësit inteligjentë do të jenë pa pagesë”, tha Kalemi.
Edhe me ligjin e ri, konsumatorët familjarë do të vijojnë ta paguajnë energjinë me çmime të rregulluara nga shteti. Po ashtu, mbeten në fuqi masat ndaj debitorëve, si ndërprerja e energjisë elektrike, gjobat dhe deri në vendosjen e barrës hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji.
Ndryshimet ligjore vijnë si pjesë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian.




