Policia jep detaje për aksidentin tragjik në Ksamil. Përplaset me skafin e Policisë Kufitare, humb jetën 22-vjeçari Albiano Kreçi

Policia e Shtetit ka dhënë njoftimin zyrtar lidhur me aksidentin tragjik detar të ndodhur pasditen e sotme në Ksamil, ku humbi jetën një 22-vjeçar.
Sipas policisë, rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi Albiano Kreçi, rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski, dyshohet se, për shkak të lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Menjëherë pas përplasjes, punonjësit e Policisë Kufitare dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë kanë bërë nxjerrjen e të riut nga deti dhe transportimin e tij me urgjencë drejt spitalit. Megjithatë, si pasojë e dëmtimeve të marra, 22-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka humbur jetën.
Policia bën me dije se është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen të gjitha veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje të rëndë.




