Vlorë – Finalizohet operacioni “Fake Cash”, kapen dy vëllezër për shpërndarje kartëmonedhash false

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Fake Cash”.

Hetimet intensive me metoda proaktive identifikuan tre shtetas që dyshohet të kenë hedhur në treg kartëmonedha false, duke kryer blerje të vazhdueshme në subjekte të ndryshme në qytetin e Vlorës.
Si rezultat, u kapën dy vëllezër, E. Gj., 27 vjeç dhe J. Gj., 28 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilëve Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” më datë 10.02.2026. Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre, E. K., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë operacionit u sekuestruan një sasi e konsiderueshme kartëmonedhash (dollarë) të dyshuara të falsifikuara dhe 4 celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit.
Strukturat e policisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




