Vlorë – Kapet me 45 600 euro të padeklaruara në Port, procedohet penalisht 43-vjeçari

Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Vlorës, në bashkëpunim me autoritetet doganore, kanë goditur një rast të mosdeklarimit të një shume të konsiderueshme parash gjatë hyrjes në territorin shqiptar.
Gjatë kontrolleve të imtësishme në vijën e dytë, në automjetin e një shtetasi 43-vjeçar me inicialet K. R., u gjetën 45 600 euro të padeklaruara. Shtetasi synonte t’i fuste paratë në Republikën e Shqipërisë, pa i deklaruar konform ligjit, duke shkelur kështu dispozitat ligjore për hyrjen e mjeteve monetare në vend.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë referuan materialet në Prokurorinë e Vlorës, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 43-vjeçarit.
Shuma prej 45 600 eurosh u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.
Policia Kufitare e Vlorës bën me dije se kontrollet do të vijojnë me intensitet të shtuar për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë në kufi.