Vrasja e turistit portugez në Ksamil, 11 të dyshuarit dalin para Gjykatës së Sarandës

Sarandë – Sokrat Lipan alias Sokrat Vata dhe 10 persona të tjerë të përfshirë në hetimin për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes janë paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Sarandës, ku do të njihen me masat e sigurisë.
Turisti portugez u vra me thikë pas një sherri në ambientet e klubit të kompleksit luksoz “Principote” në Ksamil. Ngjarja e rëndë tronditi opinionin publik, pasi ndodhi në kulmin e sezonit turistik.
Sipas hetimeve, 20-vjeçari kishte ardhur në Shqipëri për pushime përmes një agjencie turistike, së bashku me persona të tjerë. Pas konfliktit në ambientet e kompleksit, situata përshkallëzoi dhe turisti u godit me thikë, duke humbur jetën.
Në kuadër të hetimeve, policia arrestoi Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, ndërsa është shpallur në kërkim Danjel Gjana alias Davidi Heurtevent, shqiptar me pasaportë britanike.
Për ngjarjen janë vënë nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa sot pritet vendimi i gjykatës për masat e sigurisë ndaj 11 të dyshuarve.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së konfliktit dhe përcaktimin e përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë.




