Vr*sja e 45-vjeçares shqiptare në Athinë/ Zbardhet dëshmia e vëllait: I kishte kërkuar të merrte urdhër mbrojtjeje, ai hynte në shtëpi me çelës rezervë

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 45-vjeçares shqiptare Luljeta Obzova në Nea Smyrni të Athinës.
Ajo u qëllua për vdekje nga ish-partneri i saj, 48-vjeçari Altin Allmuça, i cili më pas vrau veten.
Sipas mediave greke, vëllai i viktimës ka treguar në polici se familja ishte në dijeni të kërcënimeve dhe shqetësimeve që 45-vjeçarja kishte përjetuar pas ndarjes nga Allmuça.
Ai kishte tentuar ta bindte motrën të kërkonte një urdhër mbrojtjeje.
Sipas dëshmisë së tij, situata kishte përshkallëzuar deri në kërcënime me armë.
“Ajo kishte nxjerrë edhe një armë. I thashë të shkonte te avokati për t’i marrë urdhër-mbrojtjeje”, ka treguar vëllai.
Një tjetër detaj që po hetohet lidhet me banesën e viktimës. Sipas familjarit, Allmuça kishte një çelës rezervë dhe hynte në shtëpinë e saj kur ajo nuk ndodhej aty.
Pikërisht për këtë arsye, rreth dy javë para vrasjes, Luljeta kishte vendosur të ndërronte bravat.
“Ai kishte një çelës rezervë dhe kur motra ime shkonte në punë, ai hynte në shtëpi”, ka treguar vëllai i saj.
45-vjeçarja kishte vënë re se sendet në banesë lëviznin dhe i kishte kërkuar të vëllait ndihmë për të ndërruar bravën.
“Kur motra ime vinte nga puna, nga një shëtitje, ajo shikonte gjërat që ishin lëvizur.
Më thoshte: ‘Dua një dryn nesër’”, ka rrëfyer ai.
Pavarësisht frikës dhe kërcënimeve që familja thotë se kishte përjetuar, Luljeta Obzova nuk kishte paraqitur një denoncim zyrtar për Allmuçën.
Në dosjet e policisë greke rezulton vetëm një incident i regjistruar në korrik 2024, në Stacionin e Policisë së Akropolit, ku ajo kishte raportuar për vjedhjen e motoçikletës nga një ish-partner, pa e identifikuar me emër.
Hetimi vijon për të zbardhur plotësisht marrëdhënien mes viktimës dhe autorit dhe rrethanat që çuan në ngjarjen e rëndë.




