Zbardhet djegia e apartamentit në Vlorë, arrestohet 33-vjeçari që dyshohet se i vuri flakën për motive konkurrence
Policia e Vlorës ka zbardhur brenda 48 orëve autorësinë dhe rrethanat e djegies së një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”, ngjarje e cila fillimisht u dyshua si aksidentale. Për rastin është arrestuar një 33-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrvënies.
Sipas Policisë, në pranga është vënë shtetasi me iniciale B. H., 33 vjeç, i cili dyshohet se në orët e para të mëngjesit të 4 gushtit i ka vënë zjarrin derës së apartamentit, ku në atë moment ndodheshin dy persona, vëlla e motër.
Nga hetimet paraprake rezulton se motivi i ngjarjes lidhet me konkurrencën, pasi autori i dyshuar dhe pronarët e apartamentit ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike, atë të dhënies me qira të apartamenteve në qytetin e Vlorës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:40 të datës 4 gusht në lagjen “Lef Sallata”. Menjëherë pas njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, nisën veprimet hetimore që çuan në identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar brenda 48 orëve.
Si pasojë e flakëve u shkaktuan dëme materiale të konsiderueshme në apartament, ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.




