Zbardhet tentativa e trafikimit të emigrantëve drejt Italisë, arrestohet organizatori afgan/ Gomonen e mori në Seman të Fierit

Policia Kufitare e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë pranë ishullit të Sazanit, ku 11 emigrantë nga vendet e treta rrezikuan të mbyteshin teksa lundronin me një gomone.
Si rezultat i hetimeve, është arrestuar në flagrancë organizatori i dyshuar i tentativës për t’i transportuar ata drejt Italisë. Në pranga ka rënë shtetasi M. E., 43 vjeç, nga Afganistani, i akuzuar për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Sipas hetimeve të Specialistëve për Hetimin e Krimit në DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, 43-vjeçari kishte organizuar nga Greqia futjen e paligjshme në Shqipëri të 10 shtetasve nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia dhe Haiti, me synim transportimin e tyre më pas drejt Italisë.
Hetimet kanë zbuluar se gomonen ai e kishte marrë në Seman të Fierit, në vendin që i ishte dërguar si lokacion nga një shtetas shqiptar, identiteti i të cilit nuk është zbuluar ende. Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, 10 emigrantët e tjerë që ndodheshin në bordin e gomones janë proceduar penalisht për veprën “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Strukturat hetimore të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për të zbardhur plotësisht këtë rast, për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe për të goditur rrjetin që organizonte kontrabandimin e emigrantëve nga vendet e treta drejt Italisë.




