Gjendet një valixhe me mbetje njerëzore, policia rrethon zonën dhe nis hetimet

Një ngjarje tronditëse është regjistruar këtë të shtunë në qendër të Athinës, ku autoritetet greke kanë gjetur një valixhe që dyshohet se përmbante mbetje njerëzore.
Sipas mediave greke, valixhja u zbulua rreth orës 14:00 (me orën lokale) në rrugën Evelpidon, në zonën e Kypselit, nga një person i pastrehë, i cili njoftoi menjëherë Policinë Helenike.
Burimet paraprake bëjnë me dije se nga valixhja vinte një erë e rëndë, ndërsa një këmbë, që dyshohet se i përket një burri, ishte e dukshme jashtë saj.
Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, të cilat rrethuan zonën, si edhe një ekspert mjeko-ligjor për të kryer ekzaminimet e para.
Hetuesit kanë marrë dëshminë e personit që bëri zbulimin dhe kanë nisur analizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë së ndërtesave përreth, në përpjekje për të identifikuar personin që mund ta ketë lënë valixhen në atë zonë.
Ngjarja ka ndodhur përballë hyrjes së ambienteve të Universitetit Panhelenik, në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit grek. Deri më tani nuk është bërë i ditur identiteti i viktimës, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.




