Zjarr i përmasave të mëdha në Patos, shkrumbohet një fermë blegtorale – mbi 10 krerë bagëti të djegura, dëme rreth 7 milionë lekë
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme një fermë blegtorale në Patos, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe humbje të konsiderueshme në bagëti.
Flakët shpërthyen rreth mesditës dhe u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe prania e sasive të mëdha të ushqimit për bagëtitë. Fermerët dhe banorët e zonës u përpoqën të shpëtonin kafshët, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat zjarrfikëse të Patosit.
Për shkak të intensitetit të zjarrit dhe rrezikut të përhapjes së flakëve në objektet përreth, në operacion u angazhuan edhe efektivët e Shërbimit Zjarrfikës të Fierit. Pas disa orësh pune intensive, ekipet arritën ta vinin zjarrin nën kontroll, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të tij.
Bilanci paraprak është i rëndë. Mbi 10 krerë bagëti janë djegur, ndërsa janë shkrumbuar sasi të mëdha ushqimi për bagëtitë, makineri bujqësore dhe stalla e fermës. Sipas vlerësimeve të para, dëmet materiale arrijnë në rreth 7 milionë lekë.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e zjarrit.




