Zjarr në “Kthesën e Patosit”, përfshihet nga flakët pjesa e pasme e një servisi automjetesh

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në afërsi të “Kthesës së Patosit”, ku pjesa e pasme e një servisi automjetesh është përfshirë nga flakët. Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka shpërthyer papritur, duke shkaktuar panik te banorët dhe qytetarët që kalonin pranë zonës.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë me intensitet për neutralizimin e flakëve dhe për të shmangur përhapjen e tyre në ambiente të tjera. Përveç forcave zjarrfikëse, në vendngjarje ndodhen edhe forcat e policisë, të cilat kanë rrethuar zonën për të garantuar sigurinë e qytetarëve, si dhe grupi hetimor, që ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit.
Burime nga terreni bëjnë me dije se e gjithë zona është mbuluar nga tymi i dendur, duke vështirësuar qarkullimin përkohësisht. Dëmet materiale raportohet të jenë të konsiderueshme, ndërsa fatmirësisht deri tani nuk ka të dhëna për persona të lënduar.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, ndonjë pakujdesi njerëzore apo defekt teknik në ambientet e servisit.




