Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes publikon bilancin: 16 vatra, 5 ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e situatës së zjarreve në vend, duke bërë të ditur se gjatë kësaj të diele janë menaxhuar 16 vatra zjarri në disa qarqe të Shqipërisë, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Sipas njoftimit zyrtar, pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive, por janë vënë nën kontroll. Strukturat operacionale po vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e plotë të tyre.
Operacionet janë zhvilluar në zonat Hajdaraj–Synej (Kavajë), Drizë–Peshtan (Fier), Tale (Lezhë), Ulën (Elbasan), Divjakë, si dhe në vatra të tjera në vend.
Në terren janë angazhuar 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 mjete zjarrfikëse të FA-së. Gjithashtu, në operacionet për shuarjen e flakëve kanë marrë pjesë forca të Policisë së Shtetit, FNSH-së, Shërbimit Pyjor, strukturave vendore të emergjencave civile dhe shërbimeve shëndetësore.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal nga qytetarët, pasi temperaturat e larta dhe era e fortë vijojnë të favorizojnë përhapjen e zjarreve, ndërsa monitorimi i situatës në të gjithë vendin vazhdon.




