Zjarri në kodrat e Apolonisë merr përmasa të mëdha, rrezikohen banesat

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë, duke rrezikuar banesa dhe prona në zonën përreth.
Flakët kanë prekur edhe një pjesë të territorit të parkut arkeologjik, në pjesën lindore të tij. Zjarri që po avanconte drejt brendësisë së parkut është neutralizuar pas ndërhyrjes së punonjësve të parkut dhe forcave zjarrfikëse, duke shmangur përhapjen e flakëve drejt zonës së monumenteve.
Situata vijon të jetë kritike jashtë territorit të parkut. Era e fortë po favorizon përhapjen e shpejtë të flakëve, ndërsa deri tani janë djegur qindra rrënjë ullinj dhe sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.
Zjarri po avancon në drejtim të fshatit Kryegjatë, duke u përhapur në një sipërfaqe gjithnjë e më të madhe dhe duke rrezikuar banesa e prona.
Banorët e zonës janë përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për të frenuar flakët, duke mbrojtur banesat dhe tokat e tyre bujqësore nga përhapja e zjarrit.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen në terren për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit dhe për të shmangur një përhapje të mëtejshme të flakëve.
Situata mbetet dinamike, ndërsa kërkohet ndërhyrje e shpejtë për mbrojtjen e banesave dhe pronave në zonën e rrezikuar.




