Zjarri në Mallakastër vijon të jetë aktiv, situata nën kontroll në Panahor dhe zonat përreth

Mallakastër – Zjarri që prej ditësh vijon të përfshijë zona të Mallakastrës mbetet aktiv edhe gjatë ditës së sotme, 8 gusht, ndërsa forcat në terren po punojnë për izolimin e plotë të vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme.
Në fshatin Panahor, puna për shuarjen dhe izolimin e zjarrit vijon pa ndërprerje. Aktualisht ka nisur krehja e perimetrit të jashtëm të vatrës, me qëllim eliminimin e çdo vatre të mbetur dhe forcimin e vijës së izolimit.
Në terren janë angazhuar 10 efektivë të MZSH-së, 30 forca bashkiake, 8 punonjës të Policisë Bashkiake, 3 punonjës të Emergjencave Civile dhe 30 trupa të Forcave të Armatosura.
Sipas informacioneve nga terreni, situata në këtë pjesë të perimetrit paraqitet e qetë dhe zjarri po mbahet nën kontroll.
Megjithatë, një tjetër pjesë e vatrës vijon të jetë aktive nën kurorën e pemëve në krahun verior, në zonën Ndrenie–Lofkënd–Vlosht. Në këtë segment po kryhet monitorimi dhe ndërhyrja nga efektivët e MZSH-së së Patosit dhe Roskovecit.
Forcat e angazhuara në terren vijojnë punën për izolimin e plotë të vatrave aktive, ndërsa monitorimi po mbahet i vazhdueshëm për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonave përreth.




