ZJARRI SHKRUMBON BANESËN NË HOXHAR TË VJETËR, 33-VJEÇARI SHPËTON FALË NDËRHYRJES SË FQINJËVE, FAMILJA KËRKON NDIHMË
Një banesë është përfshirë nga flakët dhe është shkrumbuar pothuajse plotësisht në fshatin Hoxhar i Vjetër, në Fier. Fatmirësisht, 33-vjeçari që ndodhej brenda shtëpisë në momentin e rënies së zjarrit ka arritur të shpëtojë, falë ndërhyrjes në kohë të fqinjëve.
Sipas banorëve të zonës, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga një bombol gazi që përdorej për gatim. Në momentin e ngjarjes, Redjan Llambro, i cili vuan nga epilepsia, dyshohet se ka pësuar një krizë teksa po përpiqej të gatuante. Gjatë episodit, ai ka humbur kontrollin dhe ka rrëzuar bombolën e gazit, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në ambientet e banesës.
Kanë qenë fqinjët ata që kanë konstatuar tymin që dilte nga banesa dhe kanë ndërhyrë menjëherë, duke nxjerrë 33-vjeçarin jashtë dhe duke i shpëtuar jetën. Pak minuta më vonë, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe Policia, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit dhe izolimin e flakëve, duke parandaluar përhapjen e tyre në banesat përreth.
Në banesë jetonin Redjan Llambro së bashku me nënën e tij, e cila në momentin e ngjarjes nuk ndodhej në shtëpi. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, zjarri ka shkatërruar orenditë dhe pajisjet shtëpiake, duke e lënë familjen pothuajse pa asgjë.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, të afërmit dhe fqinjët e familjes Llambro apelojnë për ndihmë dhe solidaritet. Ata bëjnë me dije se nëna dhe i biri jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe tashmë kanë nevojë urgjente për mbështetje, për të siguruar strehim dhe pajisjet bazë për jetesë.
Apeli i tyre u drejtohet institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve që kanë mundësi të kontribuojnë për t’i ardhur në ndihmë kësaj familjeje në këto momente të vështira.




