Erion Ahmetaj ndër emrat më të përfolur për drejtimin e Policisë së Fierit, pas emërimit të Oliger Torbës zv.drejtor në Tiranë

Dita e djeshme ka sjellë një sërë lëvizjesh në radhët e Policisë së Shtetit, me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hita.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me Policinë e Tiranës, ku Besmir Dervishi është larguar nga detyra e zëvendës-drejtorit dhe në këtë pozicion është emëruar Oliger Torba. Ky i fundit ka mbajtur më herët detyrën e zv.drejtorit në Fier, si edhe ka drejtuar përkohësisht këtë strukturë pas emërimit të Hita në krye të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, burime pranë strukturave të Policisë bëjnë me dije se për drejtimin e Policisë së Qarkut Fier po përflitet emri i Erion Ahmetajt, aktualisht drejtor i Policisë së Korçës. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë lëvizje.
Pritet që ndryshimet në radhët drejtuese të Policisë së Shtetit të vijojnë edhe në ditët në vijim.




