Banorët e Cakranit protestë kundër zhvendosjes së shërbimeve në Levan
Dhjetëra banorë të njësisë administrative Cakran u mblodhën paraditen e sotme në protestë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për zhvendosjen e disa shërbimeve drejt njësisë administrative të Levanit.
Të revoltuar, qytetarët shprehen se ky vendim ua vështirëson jetën e përditshme, veçanërisht të moshuarve, të cilët sipas tyre e kanë të pamundur të përshkojnë rreth 27 kilometra për të marrë shërbimet bazë.
Banorët theksojnë gjithashtu se shumë prej tyre nuk kanë mundësi apo njohuri për të përdorur shërbimet online, çka e bën situatën edhe më problematike.
Sipas protestuesve, Cakrani është një zonë me histori dhe identitet të fortë, e përbërë nga 13 fshatra dhe me rreth 17 mijë banorë. Ata e konsiderojnë të pajustifikuar bashkimin e shërbimeve me Levanin dhe kërkojnë rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
“Është e papranueshme që një komunitet kaq i madh të mbetet pa shërbime pranë. Kjo është një goditje direkte për banorët, sidomos për më të pambrojturit,” u shprehën protestuesit.
Banorët paralajmëruan se do të vijojnë reagimet e tyre nëse institucionet nuk ndërhyjnë për të zgjidhur situatën.




