Homazhe sot për aktorin Birçe Hasko në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit

Sot, në orën 10:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të zhvillohen homazhet në nder të aktorit të njohur shqiptar Birçe Hasko, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 84-vjeçare.
Ndarja e tij nga jeta ka sjellë dhimbje dhe trishtim në botën e artit dhe tek publiku shqiptar, i cili për dekada e ndoqi në skenën e teatrit dhe në kinematografi. Birçe Hasko konsiderohej një nga figurat më të dashura të artit shqiptar, i vlerësuar për stilin e tij të veçantë të interpretimit dhe karakteret popullore që solli në ekran.
Një nga rolet më të spikatura të tij mbetet ai i Milo Tafani në Shi në Plazh, personazh që u kthye në një nga më të dashurit për publikun. Edhe në role dytësore, aktori arrinte të sillte personazhe me origjinalitet, humor dhe emocion.
Birçe Hasko lindi më 15 mars 1942 në Dukat të Vlorës. Fillimisht ai ndoqi profesionin e mësuesit pas përfundimit të shkollës pedagogjike “Jani Minga”, por më pas iu përkushtua aktrimit. Në vitin 1965 nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve dhe pas diplomimit u bë pjesë e Akademisë së Arteve si pedagog i mjeshtërisë së aktorit.
Gjatë karrierës së tij ai mbajti edhe detyrën e dekanit të Fakultetit të Artit Skenik dhe u nderua me titujt “Artist i Merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh”, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në teatrin dhe kinemanë shqiptare.




