Sherr me thika në Lushnje, 17-vjeçari plagos 42-vjeçarin pas konfliktit në lokal

Një konflikt i dhunshëm i ndodhur në fshatin Golem të Lushnjes ka përfunduar me plagosjen e një 42-vjeçari me thikë.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali të zonës, ku pas një debati mes dy banorëve të fshatit, situata ka degraduar në dhunë fizike. Një 17-vjeçar dyshohet se ka goditur dy herë me thikë një 42-vjeçar, duke i shkaktuar plagë në trup.
Menjëherë pas ngjarjes, i dëmtuari është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjes për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se, megjithëse fillimisht gjendja e tij u konsiderua e rëndë, aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Forcat e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur shoqërimin dhe më pas ndalimin e 17-vjeçarit të dyshuar si autor i plagosjes. Gjithashtu, është sekuestruar thika e përdorur në ngjarje, në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor po vijon veprimet për të sqaruar rrethanat e plota të konfliktit dhe motivet që çuan në këtë akt dhune. Ndaj të miturit pritet të ndiqen procedurat ligjore përkatëse.
Lushnjë / Informacion paraprak
Rreth orës 19:05, në fshatin Golem i Vogël, një shtetas i mitur 17-vjeçar dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin L. S., 42 vjeç.
Shtetasi L. S., është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin e mitur në ambjentet e Komisariatit për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.




