Aksident në autostradën Lushnjë–Fier, Audi del nga rruga dhe përplaset me një pemë, plagoset një grua
Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në autostradën Lushnjë–Fier, pranë daljes së rrethrrotullimit të Kolonjës.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i një automjeti tip “Audi” ka humbur kontrollin e mjetit, i cili ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë në anë të saj.
Si pasojë e aksidentit, është plagosur një pasagjere rreth 65 vjeçe, e cila është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se e dëmtuara ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa gjendja e saj shëndetësore nuk bëhet ende e ditur.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kryen veprimet procedurale dhe nisën hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se humbja e kontrollit të mjetit ka sjellë daljen nga rruga, por rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt i hetimeve.




