Rrezikoi pushuesit në plazhin e Krorëzit, gjobitet me 500 mijë lekë dhe i bllokohet mjeti lundrues
Shërbimet e Policisë Kufitare në Borsh kanë ndëshkuar me masë administrative prej 500.000 lekësh të rinj drejtuesin e një mjeti lundrues, pasi u konstatua duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë të rezervuar për pushuesit.
Gjatë kontrolleve dhe patrullimeve në zonën e njohur si “Krorëz”, efektivët e Policisë Kufitare evidentuan mjetin lundrues që kishte hyrë në hapësirën ku po laheshin pushuesit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Pas verifikimeve, ndaj drejtuesit u vendos gjoba prej 500 mijë lekësh të rinj dhe u bllokua mjeti lundrues.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e dedikuara për pushuesit dhe çdo manovër që mund të rrezikojë jetën e tyre.




