Moisi Habilaj arrestohet në Borsh, kapet në një beach bar ku qëndronte i maskuar

Moisi Habilaj është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Borsh gjatë një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Sipas burimeve paraprake, Habilaj, i shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike, është lokalizuar në një beach bar në pronësi të familjarëve të tij, ku dyshohet se qëndronte prej një periudhe të gjatë kohe.
Mësohet se operacioni është kryer nga forcat e Operacionales së Tiranës, të cilat, pas sigurimit të informacioneve operative dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit, kanë bërë të mundur identifikimin e vendndodhjes së tij dhe rrethimin e zonës.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në momentin e arrestimit, Habilaj kishte tentuar të shmangte identifikimin nga autoritetet duke u maskuar me kapele dhe mjekër.
Policia e Shtetit pritet të japë në orët në vijim detaje zyrtare mbi operacionin dhe rrethanat e arrestimit.
Moisi Habilaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për trafikim droge në katër episode të ndryshme gjatë viteve 2013-2017 në Shqipëri dhe Itali. Ai u dënua me 15 vite burgim, por për shkak të përfitimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 10 vite burg.
Ndërkohë, në vitin 2021, Gjykata e Apelit e Katanias në Itali e dënoi përfundimisht Moisi Habilajn me 15 vite e 5 muaj burg.




