Dita e 16-të e protestës në Tiranë, organizatorët marrin masa pas bllokimit të rrugës së Rinasit një natë më parë: Do marshojmë vetëm brenda ‘Unazës’

Ka nisur marshimi i qytetarëve për ditën e 16-të të protestës.
“S’ka PD që na ndalon, ne po bëjmë revolucion”. Me këtë thirrje, si çdo ditë tjetër, qytetarët u mblodhën në shesh për të marshuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe për t’u stacionuar para Kryeministrisë, aty do të mbajnë edhe fjalimet e tyre.
Pas fjalimeve, qytetarët priten të marshojnë edhe në rrugët e kryeqytetit.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tyre me megafon, organizatorët e protestës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos përçahen gjatë marshimit dhe të mos përsëriten incidentet e mbrëmshme.
“Marshimi është organizuar nga vetë të rinjtë, por nga sot do kujdesemi edhe për të shmangue incidentet e mbrëmshme. Nuk do të ketë më marshim jashtë ‘Unazës’, u shpreh aktivisti Kola.
“Ajo që ndodhi mbrëmë nuk do të përsëritet”, deklaroi një tjetër organizator.




