Protestuesit paralajmërojnë tubim para Kuvendit: “Do të ndalojmë deputetët të hyjnë në Parlament”

Një prej protagonistëve të protestave që po zhvillohen në Tiranë ka bërë thirrje për një tjetër tubim, i planifikuar të mbahet nesër në orën 10:00 para Kuvendit.
Gjatë deklaratës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestë, duke pretenduar se synimi është të pengohet hyrja e deputetëve në Parlament. Po ashtu, ai iu drejtua edhe Policisë së Shtetit, duke kërkuar që të mos ushtrohet dhunë ndaj protestuesve.
“Dje forcat e policisë kanë ushtruar një dhunë të neveritshme ndaj protestuesve paqësorë. Nesër në orën 10:00 do të mblidhemi para Kuvendit për të ndaluar deputetët të hyjnë në Parlament. U bëj thirrje punonjësve dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit të kenë shumë kujdes se kë prekin me dorë, sepse qytetarët shqiptarë kanë në dorë jo vetëm t’i pushojnë nga puna, por edhe t’i çojnë në burg. Parlamenti është i yni dhe jo i atyre”, deklaroi protestuesi.
Autoritetet nuk kanë reaguar ende lidhur me thirrjen për protestën e paralajmëruar.




