Tragjedi në aksin Prrenjas–Librazhd, guri i shkëputur nga shpati i malit i merr jetën 42-vjeçarit

Një ngjarje tragjike është regjistruar mbrëmjen e së premtes në aksin rrugor Prrenjas–Librazhd, në fshatin Hotolisht, ku një 42-vjeçar humbi jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonte u godit nga një gur i shkëputur nga shpati i kodrës.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:30. Dyshohet se një gur me përmasa të mëdha është shkëputur nga mali dhe ka rënë mbi një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga Arjan Hoxha, 42 vjeç, banues në fshatin Gjergjan të Elbasanit.
Për shkak të goditjes së fortë, 42-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shkaqet e shkëputjes së gurit janë ende nën hetim, ndërsa autoritetet pritet të japin informacione të tjera në vijim.




