Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Fier, denoncon Gjykatën dhe Prokurorinë për mungesë transparence ndaj mediave

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Fier, ka reaguar me një deklaratë publike, ku denoncon mungesën e transparencës dhe, sipas tij, censurën sistematike në raport me mediat nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe Prokuroria pranë kësaj gjykate.
Sipas deklaratës, mosdhënia në kohë e informacionit ose shpërndarja e tij në mënyrë selektive është një problem që prej vitesh pengon punën e gazetarëve në qark. Unioni shprehet se këto institucione vështirësojnë aksesin e mediave në informacion për çështje gjyqësore, masa sigurie, procedime penale dhe vendime me interes të lartë publik, ndërsa në disa raste informacioni jepet me vonesë ose nuk jepet fare.
Reagimi vjen pas mënyrës së komunikimit të informacionit lidhur me masat e sigurisë të caktuara ndaj adoleshentëve dhe një shtetaseje madhore, të përfshirë në dhunimin e një vajze 17-vjeçare dhe shpërndarjen e pamjeve në rrjetet sociale.
Sipas Unionit, informacioni për këtë vendim iu përcoll fillimisht vetëm disa mediave, ndërsa gazetarët e Fierit e morën njoftimin vetëm pasditen e së premtes, një ditë pas dhënies së vendimit.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se argumenti i institucioneve, sipas të cilit vonesa lidhej me ndjeshmërinë e çështjes dhe ruajtjen e sekretit hetimor, nuk qëndron, pasi materiali i shpërndarë nuk përmbante elemente që cenonin sekretin hetimor.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Fier, thekson se komuniteti i gazetarëve do të vijojë të ushtrojë profesionin me përgjegjësi dhe profesionalizëm, duke respektuar marrëdhëniet institucionale me autoritetet. Megjithatë, ai nënvizon se nuk do të bëjë asnjë hap pas në mbrojtje të së drejtës së publikut për informim të plotë, të barabartë dhe në kohë reale, duke e konsideruar transparencën një detyrim ligjor të institucioneve publike.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë – Dega Fier
DEKLARATË
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Fier, denoncon mungesën e transparencës dhe censurën sistematike në raport me mediat nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe Prokuroria pranë kësaj gjykate.
Duke marrë shkas nga një informacion me interes të lartë publik, si ai për masat e sigurisë ndaj adoleshentëve që dhunuan një bashkëmoshatare dhe e filmuan, për të shpërndarë më pas pamjet në rrjetet sociale, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Fier, deklaron se mosdhënia e informacionit në kohë, ose dhënia e tij në mënyrë selektive nga Gjykata e Fierit dhe Prokuroria e Fierit, është një problem që prej vitesh shqetëson gazetarët në këtë qark.
Në mënyrë të vazhdueshme, këto institucione vështirësojnë aksesin e gazetarëve në informacion për çështje gjyqësore, masa sigurie, procedime penale dhe vendime me interes të lartë publik. Në disa raste informacioni jepet me vonesë, ndërsa në raste të tjera nuk jepet fare, duke penguar median në përmbushjen e misionit të saj për informimin e qytetarëve.
Rasti më i fundit u regjistrua të premten, kur Gjykata publikoi informacionin për caktimin e masave të sigurisë ndaj adoleshentëve dhe një shtetaseje madhore, të përfshirë në dhunën ndaj një vajze 17-vjeçare dhe në shpërndarjen e pamjeve në rrjetet sociale.
Sipas Unionit, informacioni iu përcoll fillimisht vetëm disa mediave, ndërsa gazetarëve të Fierit iu dërgua vetëm pasditen e së premtes, një ditë pas dhënies së vendimit.
Pretendimi se vonesa lidhej me ndjeshmërinë e çështjes dhe ruajtjen e sekretit hetimor nuk qëndron, pasi materiali i shpërndarë nuk përmbante asnjë element që cenonte sekretin hetimor apo zhvillimin e hetimeve.
Komuniteti i gazetarëve në Qarkun Fier është i vendosur të ushtrojë profesionin me përgjegjësi, paanshmëri dhe profesionalizëm, duke respektuar marrëdhëniet institucionale me të gjitha autoritetet, përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë e Fierit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Fier, do të mbështesë gjithmonë marrëdhënie të shëndosha ndërinstitucionale, por nuk do të bëjë asnjë hap pas në mbrojtje të së drejtës së publikut për informim të plotë, të barabartë dhe në kohë reale. Transparenca nuk është privilegj, por detyrim ligjor i institucioneve publike dhe një garanci për një shoqëri demokratike.




