“Besëlidhjet e Poçemit” bashkojnë historinë, traditën dhe kulturën e Mallakastrës
Poçemi u kthye këtë fundjavë në qendrën e aktiviteteve patriotike dhe kulturore me zhvillimin e “Besëlidhjeve të Poçemit”, një aktivitet dyditor kushtuar historisë, traditës dhe identitetit të Mallakastrës. Më 11 dhe 12 korrik, qindra qytetarë nga zona dhe më gjerë morën pjesë në aktivitetet e organizuara, duke krijuar një atmosferë festive dhe duke dëshmuar interesin e madh për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të krahinës.
Në ditën e parë, programi i larmishëm përfshiu panairin e produkteve lokale, ekspozitën e Forcave të Armatosura, koncertin e Orkestrës Simfonike të Ministrisë së Mbrojtjes, kinemanë e hapur me filma patriotikë shqiptarë, si dhe aktivitete të shumta për fëmijët e familjet.
Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismaili, u shpreh se “Besëlidhjet e Poçemit” janë tashmë një traditë që bashkon historinë, kulturën dhe zakonet e Mallakastrës, duke i përcjellë ato te brezat e rinj dhe duke promovuar vlerat identitare të krahinës.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimeve të tilla për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e atraksioneve të zonës.
Sipas Klosit, aktivitete të kësaj natyre shërbejnë si një mundësi për të tërhequr turistë vendas dhe të huaj, duke nxjerrë në pah potencialin historik, kulturor dhe natyror të Mallakastrës.
Nga Poçemi, Klosi komentoi edhe zhvillimet e fundit politike në vend. Ai deklaroi se Partia Socialiste ka ndarë që në fillim kërkesat qytetare nga ato politike dhe mbetet e përkushtuar ndaj mandatit të marrë nga qytetarët.
“Kemi një marrëveshje me shqiptarët për ta çuar vendin drejt integrimit në Bashkimin Europian, për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve dhe për të forcuar Shqipërinë. Këtij mandati do t’i qëndrojmë deri në fund”, u shpreh ai, ndërsa hodhi poshtë edhe pretendimet për përçarje brenda Partisë Socialiste si pasojë e protestave të fundit.
Deputeti i qarkut Fier, Klevis Jahaj, theksoi se programi dyditor është konceptuar për të promovuar jo vetëm historinë dhe traditën e Mallakastrës, por edhe prodhimet lokale dhe institucionet shtetërore. Ai nënvizoi se aktiviteti u mbështet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Mbrojtjes, ndërsa stendat e Forcave të Armatosura shërbyen edhe si një ftesë për të rinjtë që dëshirojnë të bëhen pjesë e tyre.
“Besëlidhjet e Poçemit” mbeten një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore e patriotike në Mallakastër, duke promovuar historinë, traditat dhe frymën e bashkimit që ka karakterizuar këtë krahinë ndër vite.




