Lamtumirë Todi Llupi, shuhet një prej ikonave të Estradës së Fierit

Arti shqiptar dhe veçanërisht qyteti i Fierit kanë humbur një nga emrat më të spikatur të humorit. Është ndarë nga jeta aktori dhe humoristi i njohur Todi Llupi, ikonë e Estradës së Fierit dhe një prej artistëve më të dashur për publikun.
I lindur në Fier më 5 mars 1948, Todi Llupi e nisi karrierën si aktor profesionist në Estradën e Fierit në vitin 1971, duke ndërtuar një rrugëtim të suksesshëm në teatër, estradë dhe kinematografi. Me interpretimet e tij autentike, humorin popullor dhe përdorimin mjeshtëror të dialektit myzeqar, ai fitoi respektin e publikut dhe të kolegëve.
Gjatë karrierës së tij interpretoi në disa filma artistikë, ndërsa një nga rolet më të dashura mbetet ai në parodinë “Po martojmë Malon”, që vijon të kujtohet edhe sot. Për kontributin e çmuar në art, në vitin 1989 u nderua me titullin “Artist i Merituar”.
Ndarja nga jeta e Todi Llupit është një humbje e madhe për kulturën shqiptare, ndërsa kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten përherë pjesë e trashëgimisë artistike të Fierit dhe mbarë vendit.
U prehtë në paqe.




