Durrës/ Grabiti xhiron ditore të një dyqani celularësh, kapet brenda pak minutash autori i dyshuar
Një 37-vjeçar është arrestuar në kohë rekord nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se mori me forcë xhiron ditore të një dyqani të një kompanie celulare.
Sipas Policisë, rreth orës 15:15, në lagjen nr. 16 të Durrësit, shtetasi me inicialet G. R., 37 vjeç, dyshohet se hyri në dyqan dhe mori me forcë rreth 100 mijë lekë të rinj, që përbënin xhiron ditore të biznesit, për t’u larguar menjëherë nga vendngjarja.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale “Shqiponja”, në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan operacionin për kapjen e autorit.
Falë reagimit të shpejtë, i dyshuari u lokalizua dhe u arrestua në lagjen nr. 6 të qytetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




