“Kjo ishte një vr*sje e paramenduar”/ Flet vëllai i viktimës dhe zbulon k*rcënimet

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në Fier, ku 35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se vrau ish-vjehrrin e tij, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas mori peng ish-të fejuarën, duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas krimit të rëndë, vëllai i viktimës ka rrëfyer detaje që, sipas tij, tregojnë se ngjarja ishte e planifikuar prej kohësh. Ai deklaroi se autori kishte kërcënuar vazhdimisht familjen, duke paralajmëruar se do t’i vriste nëse vajza nuk rikthehej tek ai.
Sipas dëshmisë së tij, familjarët dëgjuan britma dhe zhurma nga brenda banesës, por nuk mundën të ndërhynin pasi autori ishte i armatosur.
“Dëgjuam vetëm zhurmë dhe që bërtisnin brenda. Ne nuk mund të hynim sepse nuk kishim armë. Ai thoshte: ‘Ejani se do t’ju vras të gjithëve’. Policia ka ardhur pas një ore. E mori djali në telefon. Autori ishte i armatosur. Doli nga dritarja, nga pjesa e pasme e shtëpisë, sepse e kishte lënë aty makinën. Mori dhe çupën me vete dhe iku,” u shpreh ai.
Më tej, ai tregoi se vajza jetonte me familjen dhe se lidhja me autorin kishte përfunduar pas një sërë konfliktesh. Sipas tij, 35-vjeçari kishte ushtruar vazhdimisht presion dhe shantazh ndaj saj.
“Vajza qëndronte këtu. Kishin vite të fejuar, por kishin probleme. Ka shkuar 3 herë në polici, është arrestuar. Shkoi në Tiranë para disa muajsh me armë lodër dhe e futën brenda. Tani ishte në arrest shtëpie, kërcënonte gjithmonë. I thoshte vajzës: ‘Ti do të vish tek mua, pa mua ti nuk e bën dot jetën’. Bënte shantazhe. Kjo ishte një vrasje e paramenduar”, deklaroi vëllai i viktimës.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për kapjen e autorit, ndërsa po heton të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka tronditur opinionin publik. Familjarët këmbëngulin se kërcënimet e përsëritura të 35-vjeçarit ishin sinjale të qarta se krimi mund të ndodhte, duke e cilësuar atë një akt të planifikuar prej kohësh.




