Zjarr i madh në Pyllin e Sodës në Vlorë, tymi mbulon qytetin, zjarrfikësit në betejë me flakët
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme Pyllin e Sodës në Vlorë, duke shkaktuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të konsiderueshme të qytetit.
Vatra e zjarrit është shfaqur brenda pyllit me pisha, pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit, ndërsa tymi është i dukshëm nga disa lagje të Vlorës, duke shqetësuar banorët.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja paraqitet e vështirë për shkak të bimësisë së dendur dhe erës, e cila po favorizon përhapjen e zjarrit.
Burime nga shërbimi zjarrfikës bëjnë me dije se aktualisht në qarkun e Vlorës janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, duke vështirësuar angazhimin e plotë të forcave në terren. Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport.
Deri në këto momente nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit dhe as sipërfaqja e përfshirë nga flakët. Autoritetet vijojnë operacionin për vënien e situatës nën kontroll dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.




