Aksident i rëndë në Fier Shegan, parakalimi i gabuar përfundon me tre të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të martë në aksin nacional Pushimi i Shoferit–Fier Shegan, në dalje të fshatit Rrupaj, ku dy automjete janë përplasur si pasojë e një parakalimi të dyshuar të gabuar.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet me targa greke ka tentuar të parakalojë një mjet me targa italiane, duke shkaktuar përplasjen mes tyre. Si pasojë e goditjes, automjeti me targa italiane ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Në mjetin e dalë nga rruga udhëtonin tre persona, një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre i rritur, të cilët kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës me dy autoambulanca, ku po marrin ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa qarkullimi në zonë është menaxhuar për të shmangur bllokimet.
Aksi rrugor Pushimi i Shoferit–Fier Shegan konsiderohet prej vitesh një nga segmentet më problematike, për shkak të gjerësisë së kufizuar dhe fluksit të lartë të automjeteve, çka e ka bërë shpesh skenë të aksidenteve rrugore.




