Alarm në Fier, lindjet përgjysmohen në vetëm 5 vite! Drejtori i Maternitetit: Emigracioni po zbraz qytetin
Numri i lindjeve në Fier ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit, duke u përgjysmuar krahasuar me periudhën e mëparshme. Drejtori i Maternitetit të Fierit, Robert Luto, thotë se shkaku kryesor mbetet emigracioni dhe lëvizjet demografike të familjeve shqiptare.
“Para pesë vitesh regjistroheshin nga 2 mijë deri në 2 mijë e 500 lindje në vit. Sot ky numër ka zbritur në rreth 1 mijë lindje. Kjo lidhet me emigracionin, lëvizjet demografike, faktin që një pjesë e familjeve zgjedhin spitalet private, si edhe orientimin e disa nënave drejt materniteteve në Tiranë,” – u shpreh Luto.
Një tjetër fenomen që po vihet re është rritja e lindjeve me operacion cezarian, të cilat tashmë janë më të shumta se lindjet natyrale.
“Ky nuk është një trend që prek vetëm Fierin, por të gjithë Shqipërinë dhe shumë vende të botës. Gjithnjë e më shumë nëna po zgjedhin lindjen me operacion cezarian,” – tha drejtori i Maternitetit.
Në rënie është edhe numri i aborteve. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 janë regjistruar rreth 100 raste, krahasuar me rreth 300 raste në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Sipas Lutos, pjesa më e madhe e këtyre rasteve i përket vajzave dhe grave nga zonat rurale.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 në Fier janë regjistruar rreth 400 lindje, duke konfirmuar trendin e vazhdueshëm të rënies së natalitetit në qark.




