Parandalohet një vrasje në Sarandë, 5 persona në pranga – sekuestrohen armë dhe silenciator
Policia e Sarandës ka finalizuar operacionin e koduar “Silenciatori”, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale falë administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë operacionit, në fshatin Gjashtë, pranë një lokali, u kapën në flagrancë dy persona të cilët, sipas Policisë, kishin nxjerrë armët e zjarrit nga automjeti dhe po qëndronin në pritë në një zonë pa ndriçim.
Në pranga përfunduan:
- S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë;
- A. K., 26 vjeç, banues në Kavajë.
Po ashtu, u arrestuan edhe:
- V. H., 20 vjeç, banues në Kavajë;
- V. P., 31 vjeç, banues në Tiranë;
- F. B., 21 vjeç, banues në Kavajë,
për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Sipas hetimeve paraprake, pesë shtetasit dyshohet se kishin mbërritur në Sarandë me qëllim kryerjen e një vrasjeje. Dy të arrestuarit kryesorë u kapën në momentin kur po nxirrnin nga automjeti dy armë zjarri pistoleta, municion luftarak dhe një silenciator.
Gjatë operacionit policor u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 1 silenciator dhe 2 automjete, ndërsa hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, identifikuar objektivin e synuar dhe dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.




