Tragjedi në aksin Korçë–Maliq, humb jetën një i ri nga Korça pas përplasjes së fortë mes dy automjeteve.

Një aksident tragjik është regjistruar gjatë natës në aksin rrugor Korçë–Maliq, pranë fshatit Vlocisht, ku një i ri nga Korça ka humbur jetën, ndërsa një tjetër person ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti tip “Benz”, që drejtohej nga viktima dhe po dilte nga një rrugë rurale në aksin kryesor, është goditur nga pas nga një automjet tip “Audi”. Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke bërë që mjeti “Benz” të përfundojë në kanalin anësor të rrugës, thuajse i shkatërruar plotësisht. Si pasojë, drejtuesi i tij ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Nga aksidenti ka mbetur i plagosur rëndë edhe një pasagjer i automjetit “Audi”, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Korçës për të marrë ndihmën mjekësore.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe, në bashkëpunim me grupin hetimor, po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të këtij aksidenti fatal.




