Hyjnë në fuqi ndryshimet e Kodit Rrugor: Patentë përjetë e hequr për të dehurit përsëritës, ashpërsohen gjobat për celularin dhe shpejtësinë

Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor sjellin masa më të ashpra për shkelësit, me fokus të veçantë te drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit në timon dhe tejkalimi i shpejtësisë.
Masa më e rëndë parashikon që drejtuesit e mjeteve të kapur përsëritës duke drejtuar në gjendje të dehur, me mbi 0.5 g/l alkool në gjak, do t’u hiqet patenta përgjithmonë, pa të drejtë për ta rimarrë më, as përmes autoshkollës.
Ndëshkime të forta parashikohen edhe për personat që drejtojnë automjet pa leje drejtimi. Të rriturit e kapur pa patentë nuk do të kenë të drejtë të pajisen me të për 1 vit, ndërsa të miturit që kapen në timon do të duhet të presin 2 vite pas mbushjes së moshës 18-vjeçare për të nisur procedurat për marrjen e patentës.
Rregulla më të rrepta vendosen edhe për shoferët e rinj gjatë dy viteve të para pas pajisjes me patentë. Ata nuk lejohen të konsumojnë asnjë sasi alkooli para drejtimit të mjetit, ndërsa kufiri maksimal i shpejtësisë do të jetë 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët jashtë zonave të banuara. Shkeljet ndëshkohen me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për 1 muaj dhe heqje pikësh. Nëse kryhen dy shkelje brenda një viti, kufizimet zgjaten edhe me një vit tjetër.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me pezullimin e patentës. Tashmë, për lejet e drejtimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare, nuk do të jetë më e mundur zëvendësimi i pezullimit me pagesën e dyfishit të gjobës. Pezullimi do të zbatohet automatikisht.
Kodi i ri parashikon gjithashtu rritje të ndjeshme të gjobave për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara, pranë shkollave, si dhe për garat apo manovrat e rrezikshme në rrugë. Gjobat rriten nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Ashpërsohen edhe masat për përdorimin e celularit gjatë drejtimit. Nëse një drejtues kapet dy herë brenda një viti duke përdorur celularin në timon, patenta do t’i pezullohet për 3 muaj. Ndalimi i përdorimit të celularit shtrihet jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për ata që lëvizin me biçikleta, motorë deri në 50 cc dhe monopatina elektrike.




